Mirela Kumbaro, Gjurmëve të një përkthyeseje

• Nga Arta Marku

Përkthyese e frëngjshtes… pse pikërisht e frëngjishtes?
E vërteta është që kjo ka ndodhur kaq herët sa nuk kujtoj dot ndonjë element konkret që të më ketë shtyrë në atë përzgjedhje. Kam qenë vetëm 14 vjeç kur vendosa të ndjek studimet e shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja në degën frëngjisht. Por mendoj se prirjet e mia individuale drejt letrave dhe shkencave shoqërore më kanë çuar natyrshëm në këtë kahje, ndërsa frëngjishtja, them siç i shoh gjërat sot, duhet të ketë qenë një shtysë pragmatike e prindërve të mi, e paracaktuar nga fakti se në atë kohë diktature të skajshme në fushën e letrave dhe të kulturës, letërsia frënge ka qenë e vetmja që gjente të çara duke u botuar qoftë edhe falë nostalgjive pariziane të diktatorit, dhe se Franca ka qenë i vetmi vend me të cilin nuk u shkëputën asnjëherë marrëdhëniet diplomatike dhe ku mbijetuan, herë mirë e herë keq, edhe marrëdhëniet kulturore.
A nënkupton kjo se ju keni preferenca të veçanta mes gjuhëve që njihni? Është gjuha që ju tërheq, muzikaliteti… apo mundësitë që ofron ajo (kultura, letërsia, historia)? A është frengjishtja gjuha juaj e preferuar?

Sa do ta thoja…në gjuhët që njoh unë fus edhe shqipen, dhe natyrshëm parapëlqej gjuhën që më lejon të shprehem e të komunikoj vetë më mirë, pra gjuhën amtare. Përvojat me gjuhët dhe situatat e ndryshme të komunikimit ndërgjuhësor më kanë bërë të kuptoj dhe të mendoj thellësisht se gjuhët janë veç mjete komunikimi dhe nuk ia ulin as nuk ia ngrejnë vlerat mendimit, apo kulturës që ato shprehin. Pa dyshim që kam parapëlqim për frëngjishten, por po kështu edhe për italishten, ndërkohë që vlerësoj dhe shfrytëzoj sa mundem dobinë e anglishtes. Jo sepse mendoj se janë më të bukura, por sepse i njoh dhe kështu më mundësojnë të njoh historinë, kulturën, qytetërimin e vendeve në të cilat fliten e shkruhen ato gjuhë. Nëse flasim për muzikalitetin, kjo është çështje shijesh krejt subjektive. Në këtë kuptim më pëlqen shumë spanjishtja të cilën nuk e flas, vetëm sa e kuptoj, por më duket shumë e ngrohtë në kuptimin mesdhetar të fjalës, sikurse më pëlqen shumë rusishtja të cilën s’e marr vesh fare por kënaqem shumë me veten kur shoh ëndrra sikur flas rusisht…!
Si mund të përshkruhen fillimet tuaja të hershme me përkthimin?
Përkthimi ka ardhur fillimisht si një zhvillim i natyrshëm i aplikimit të dijeve të mia dhe i formimit tim por edhe si një zgjidhje, ndoshta më e lehtë, për të realizuar dëshirën për të shkruar… e ku ka më mirë se të rishkruash ide të shkëlqyera që e kanë kaluar tashmë provën e lexuesit!…ose ky është mbase edhe justifikim i dembelizmit! Por ka dhe një arsye të tretë e cila ka qenë motori i vërtetë i profesionit tim: dëshira e fortë për të ndarë me të tjerë leximet që më pëlqejnë… Kjo fillon me rrëfimin që bëj pranë njerëzve që i kam më të afërt dhe shkon deri te përkthimi për publikun e gjerë.
A është letërsia në fakt preferencë e juaja si përkthyese? Të paktën për t’u identifikuar me të, apo nuk keni preferenca të këtij lloji?
Nuk e kam ndjerë ndonjëherë nevojën e identifikimit me një kategori të caktuar përkthimi, qoftë edhe me atë më fisniken. Si për arsye pragmatike, ashtu edhe për arsye profesionale, profili i përkthyesit është domosdoshmërisht shumë më i gjerë e i larmishëm se sa joshjet e tij letrare. Por përkthimi i letërsisë është për mua një angazhim shumë i madh emocional i vetvetes, që shkon nga kënaqësia deri në dhembje. Kënaqësi kur bën gjetjen e duhur, kur e ndjen brenda vetes se si rrjedhin idetë e autorit sikur të ishin të tuat dhe për pasojë rrjedh edhe gjuha. Dhembja shkaktohet nga stërmundimi prej prangave që të ve mendimi apo stili i autorit, se nuk arrin ende ta kthesh ashtu siç e ndjen, ose të vjen të thuash më shumë, më ndryshe, por s’të lënë prangat e Tjetrit… je si i ndrydhur brenda këmishës së forcës… Por provon sërish kënaqësi kur e kapërcen këtë fazë dhe ndjen tek çlirohet mendimi brenda teje dhe merr rrugë fjala…
Një nga kulmet tuaja të deritanishme shënohet “Shakaja” e Kunderës: ç’ju çoi te ky autor, dhe pikërisht te kjo vepër?
Nuk di nëse ky përkthim përbën apo jo kulm, por mund të them se ka qenë një punë që më ka përfshirë të tërën. Shakaja është një libër deprimues në kuptimin filozofik të fjalës. Në mënyrë të pandërgjegjshme unë zgjodha ta lexoj atë, pa asnjë qëllim përkthimi, në mars të vitit ‘97, kur përjetoja, si shumë shqiptarë të tjerë, një gjendje të rëndë depresioni dhe traume që dukej sikur nuk do ta kapërceja dot ndonjëherë… Ai libër më zhyti dhe më thellë, por duke më shtyrë çuditërisht edhe drejt një analize ekzistenciale të vetvetes ku gjeja gjithë gjurmët e fjetura të jetës time nën regjimin komunist… Por më ngacmoi edhe një reflektim intelektual që lidhej më reagimet e mia…, tonat…, në ato muaj mesjetarë të vitit të tmerrshëm… Të gjitha këto më bënë të shihja dritë në fund të tunelit. U futa aq thellë në atë libër sa m’u duk se iu afrova shumë autorit… Kur ndodh kjo nuk mund t’i bësh më ballë dëshirës për ta rishkruar librin dhe të krijosh lexuesin tënd… Dhe, në fund të fundit, përkthimi i Kunderës mbetet një sfidë për cilindo përkthyes…
Çfarë mund të thoni për përkthimin në të kundërt, nga shqipja në frengjisht?
Shiko, përkthimi drejt gjuhës së huaj është një salto mortale… Duhet të jesh akrobat i shkëlqyer, domethënë njohës shumë i mirë i gjuhës së huaj në të cilën pretendon se mund të përkthesh. Si rregull përkthehet vetëm drejt gjuhës amtare. Përjashto Jusuf Vrionin që ishte dygjuhësh i mirëfilltë në frëngjishte e në shqipe dhe prodhoi përkthime të shkëlqyera të Kadaresë në frëngjisht. Edhe Edmond Tupen i cili e njeh jashtëzakonisht mirë gjuhën frënge dhe ka përkthyer me shumë sukses Fatos Kongolin me të cilin, pas përkthimit të të gjithë librave ka arritur, më duket, simbiozën fatlume autor-përkthyes. Përndryshe, unë e shoh përkthimin drejt gjuhës së huaj si një guxim të tepruar… Edhe unë kam pasur periudhën time të guximit të tepruar por që e justifikoja kur ndodhesha me studime në Paris dhe kur gjuha frënge ishte mjeti im kryesor i komunikimit dhe e ndjeja shumë të afërt dhe organike. Sot, shumë shqiptarë që bëjnë jetë aktive në vende të ndryshme, kanë pasur mundësinë të përsosin gjuhët e huaja aq sa të shprehen rrjedhshëm me shkrim në ato gjuhë. Mes tyre mund të ketë që i futen rrugës së vështirë të përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhë të huaj. Vetëm se…, kjo nuk mjafton. Atyre iu duhet ndërkohë të kenë ruajtur lidhjet kulturore e shpirtërore me vendin amë, kusht i domosdoshëm për të kuptuar plotësisht veprën letrare shqiptare.
Sa e lehtëson apo e vështirëson proçesin e përkthimit komunikimi me autorin?
Ky është një fat i rrallë se autori ose jeton shumë larg përkthyesit, ose ka ndërruar jetë. Por kur e ke këtë mundësi të komunikimit me autorin, është një mbështetje shumë e madhe për të kuptuar më mirë idetë, shtysat e autorit, sidomos kur autori e kupton gjuhën në të cilën përkthehet teksti i tij, siç ka qenë rasti i Mustafajit nga i cili përktheva një pjesë të librit “Faqe rezervat”. Por, nga ajo përvojë kuptova se ndonjëherë ky bashkëpunim mund edhe të t’i vështirësojë gjërat, sepse autori është posesiv me tekstin e vet dhe sa herë e prek me dorë i duket se mund ta përmirësojë akoma. Ekziston një ndjenjë mosbesimi që autori s’e fsheh dot kur e sheh tekstin e tij në duart e një të “huaji” (përkthyesi)… por nuk është pa zgjidhje… Këtë përvojë vajtje-ardhjesh të tekstit e kam pasur edhe më të komplikuar me Kasem Trebeshinën, kur kam përkthyer dramën e tij “Historia e atyre që nuk janë”, shkruar më 1975, e cila u vu në skenë në Paris në vitin 1993. Me dukej sikur Trebeshina donte të plotësonte gjithçka nuk kishte mundur të shkruante 20 vite më parë…
Përmendët teatrin… keni përkthyer pjesë që janë vënë në skenë. Ç’ju tërheq këtu? Si e zbuluat teatrin?
Është e vërtetë që unë kam përkthyer disa pjesë teatrale, por në zanafillë të kësaj përvoje është im vëlla, regjisori Arben Kumbaro. Unë kam filluar të përkthej pjesë teatrale me kërkesë të tij. Dramat që e intrigojnë atë dhe që përputhen me filozofinë e tij estetike dhe intelektuale bëhen më pas objekt i përkthimeve të mia, por nuk e fsheh që na pajtohen mjaft mendimet dhe shijet, dhe zgjedhjet e tij më kanë ardhur fort për mbarë. Sot i jam mirënjohëse sepse më ka dhënë mundësinë të provoj një kënaqësi ndryshe të përkthimit.
Çfarë mund të thoni për dallimin (qoftë përafrinë) mes përvojave të përkthimit të një romani e të një drame për skenë?
Përkthimi i teatrit është një proçes i tjetërllojtë nga ai i një romani. Kur përkthen prozë letrare teksti të mbërthen pas vetes dhe përkthyesi mendon vetëm se si do të perceptohet ky tekst kur të lexohet. Teksti vetë ka një lloj pavarësie, siç ka pavarësi edhe lexuesi i atij teksti, i cili mund ta konsumojë në qetësinë e vet përkthimin pa qenë i detyruar të reagojë, për mirë ose për keq. Kjo e çliron disi përkthyesin nga barra e provës. Ndërsa kur përkthen teatër, ndjen të nevojshme të sillesh edhe si regjisor e të përfytyrosh dekorin, lëvizjet e aktorëve në skenë. Por edhe si aktor sillesh për të kuptuar se sa qëndron batuta që prodhon, në gojën e aktorëve. Ndodh, sa herë përkthej teatër, të recitoj me zë dialogjet që rindërtoj. Duke ditur zakonisht edhe cilët do të jenë aktorët që do të interpretojnë, imagjinoj se si do të tingëllojnë frazat në gojën e aksh aktori. Kështu kam vepruar kur përktheja “Duke pritur Godonë” të Beckett –it ku luante A. Qirjaqi, apo me “Shërbëtoret” e Jean Genet –it ku luante Y. Mujo, ose edhe në përvojën e fundit me N. Xhepën e T. Fllokon me të cilët, regjisori Kumbaro vuri në skenë “Për një fjalë goje” të Nathalie Sarraute. Gjatë përkthimit unë bashkëpunoj shumë me regjisorin dhe marr shumë seriozisht sugjerimet e aktorëve, sepse janë këta të fundit që do e materializojnë përkthimin në skenë. Teksti i përkthyer duhet të bëhet organikisht tekst i aktorëve. Unë e marr kënaqësinë e punës time kur spektatorët duartrokasin aktorët.
Poradeci thoshte: nuk përkthej unë por përkthen kultura ime. Sa të vërtetë e gjeni këtë thënie?
Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjem me një anekdotë përkthyesish: “Një përkthyese e dashuruar me autorin e parapëlqyer trokiti në derën e këtij të fundit. Pa e hapur ai pyeti: “Kush është?” Ajo u përgjigj: “Jam unë!” Ai i tha: “Nuk ka vend për ty në këtë shtëpi”. Atëherë, përkthyesja u kthye prapsht, mori me radhë bibliotekat, por edhe baret e natës… dhe kohë më pas u kthye sërish te i “vluari” i saj shkrimtar e trokiti në derë. Sërish ai pyeti “Kush është?” Përkthyesja u përgjigj: “Je ti…” Vetëm atëhere dera u hap.
Kemi folur ndërkaq për përkthimet tuaja nga letërsia, por ka një libër të cilin nuk mendoj se duhet ta shpërfillim: “Tranzit nëpër Ballkan”? Çfarë mund të thoni për të? Pse e zgjodhët? Me çfarë ju bëri për vete…?
Kush tha ta shpërfillim!? Thashë në fillim të kësaj interviste se motorri që më ka bërë të përkthej është dëshira për të ndarë me të tjerë leximet e mia të preferuara… dhe kur punon në fushën e letrave, leximet nuk mund të kufizohen kurrë vetëm në letërsi artistike. Njohja e mendimit njerëzor në histori, filozofi, politikë etj, të kthehet në një nevojë, sidomos po të kemi parasysh se sa e mangët ka qenë dhe është shkolla shqiptare në këtë drejtim… ai motorri pra, fuksionon për të gjitha leximet. Ka dhe një gjë tjetër që vlen edhe për librin që përmendët: shumë autorë të cilët shkruajnë libra në fusha të ndryshme të shkencave shoqërore, kanë zotësinë ta bëjnë këtë me një stil letrar, me figuracion të pasur artistik duke e vënë kështu përkthyesin edhe para sprovës enciklopedike, edhe para asaj artistike. Me këtë sfidë jam përballur si në përkthimin e librit “Tranzit nëpër Ballkan” të Francois Maspero -së, ashtu edhe të librit “Mesdheu” te Ferndand Braudel -it që duhet të dalë së shpejti.
Me cilin libër do ta realizoni takimin tjetër me lexuesit?
Sapo përmenda librin “Mesdheu” të Fernand Braudel –it, një nga historianët më në zë të shekullit XX dhe njohës i shkëlqyer i kulturës së pellgut të Mesdheut. Por gjatë vitit 2008, me propozim të shtëpisë botuese Dituria, besoj se do të ndaj me lexuesin shqiptar edhe një roman të Amin Zaoui -së, shkrimtar algjerian shumë i suksesshëm në Francë, i cili do të prezantohet për të parën herë në shqip me “Gostinë e gënjeshtrave”, një roman ku erotizmi ndërthuret me mjeshtëri me elementin filozofik dhe atë komik. E kam me shumë qejf këtë libër dhe kur përkthimin e bën me dashuri kjo është një garanci shumë e mirë si fillim.